Barazia gjinore
Le të përmirësojmë barazinë gjinore duke e mbështetur emancipimin e vajzave dhe grave!
Ndonëse pabarazia gjinore ende ekziston, jemi dëshmitarë të të dhënave inkurajuese: gjithnjë e më shumë vajza po shkollohen, më shumë gra po punojnë në profesione ku kërkohen kualifikime të larta, hendeku i pagave po reduktohet. Krejt këto janë hap i mirë përpara dhe tregon se jemi në rrugën e mbarë për të arritur barazinë gjinore.
Ky objektiv i përfshin angazhimet për çrrënjosjen e dhunës, të drejta të barabarta pronësore dhe kompensim për punën, si dhe të drejtën për të marrë vendime për trupin e vet dhe të drejtën për pjesëmarrje të barabartë në marrjen e vendimeve që janë pjesë e jetës publike.
5.1.
Të hiqen të gjitha format e diskriminimit ndaj grave dhe vajzave, kudo.
5.2.
Të eliminohen të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe vajzave në sferën publike dhe atë private, duke përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore, shfrytëzimin seksual dhe lloje të tjera të eksploatimit.
5.3.
Të eliminohen të gjitha dukuritë e dëmshme, si martesat e fëmijëve me forcë, martesat e hershme dhe gjymtimi i organeve gjenitale femërore.
5.4.
Të njihet dhe të vlerësohet përkujdesja e papaguar dhe puna në shtëpi duke mundësuar shërbime publike, infrastrukturë dhe politikat për mbrojtjen sociale dhe promovimin e përgjegjësisë së përbashkët brenda amvisërive dhe familjeve, sipas rrethanave kombëtare.
5.5.
Të sigurohet pjesëmarrje e plotë dhe efektive e grave dhe mundësi të barabarta për udhëheqje në të gjitha nivelet gjatë vendimmarrjes në jetën politike, ekonomike dhe publike.
5.6.
Të mundësohet akses universal në të drejtën për të siguruar shëndetin seksual dhe riprodhues, në përputhje me Programin e Veprimit të Konferencës Ndërkombëtare për Popullsi dhe Zhvillim dhe Platformën për Veprim të Pekinit dhe dokumentet që rezultojnë nga këto konferenca.
5.А.
Të ndërmerren reforma për aksesin e barabartë të grave në resurset ekonomike, si dhe aksesin ndaj tokës dhe formave të tjera të pronës, shërbimeve financiare, trashëgimisë dhe resurseve natyrore, në përputhje me ligjet kombëtare.
5.B.
Të rritet aplikimi i teknologjive që ofrojnë kushte më të mira, veçanërisht në sferën e informacionit dhe komunikimit për të nxitur emancipimin e grave.
5.C.
Të miratohen dhe përmirësohen politika dhe akte të shëndosha për zbatimin e tyre për të përmirësuar barazinë gjinore dhe emancipimin e të gjitha grave dhe vajzave, në të gjitha nivelet.

