Pa uri
Le të përkujdesemi që askush të mos jetë më i uritur!
Uria dhe kequshqyerja (mosushqyerja) janë rezultat i gjendjes së keqe materiale në të cilën gjendet pothuajse gjysma e popullsisë së botës, por edhe për shkak të mungesës së ushqimit cilësor dhe edukimit për ushqim cilësor.
Objektivi është eliminimi i urisë duke e përmirësuar dispozicionin e ushqimit cilësor për të gjithë, ndërsa në të njëjtën kohë promovohet bujqësia e qëndrueshme duke përmirësuar kushtet dhe jetën e fermerëve.
2.1.
Deri në vitin 2030, t'i jepet fund urisë dhe të sigurohet që të gjithë njerëzit të kenë akses në sasi të mjaftueshme ushqimi të sigurt dhe të shëndetshëm, veçanërisht për të varfrit dhe të pambrojturit, përfshirë foshnjat, gjatë gjithë vitit.
2.2.
Deri në vitin 2030 t'i jepet fund të gjitha formave të kequshqyerjes, ndërsa deri në vitin 2025 të arrihen objektivat e dakorduara ndërkombëtarisht për parandalimin e ngecjes në rritje te fëmijët deri në 5 vjeç, si dhe zgjidhjen e çështjes me nevojat ushqyese të vajzave adoleshente, grave shtatzëna, nënave me gji dhe të moshuarve.
2.3.
Deri në vitin 2030, dyfish të rritet prodhimtaria bujqësore dhe të ardhurat e prodhuesve të ushqimit në shkallë të vogël, veçanërisht grave, popujve autoktonë, familjeve fermere, blegtorëve dhe peshkatarëve, nëpërmjet aksesit të sigurt dhe të barabartë në tokë, resurse të tjera prodhuese dhe lëndë të para, dituri, shërbime financiare, tregje dhe mundësitë për shtimin e vlerës dhe forma të tjera jo-bujqësore të punësimit.
2.4.
Deri në vitin 2030, të sigurohen sisteme të qëndrueshme të prodhimit të ushqimit dhe të zbatohen praktika të qëndrueshme bujqësore, të cilat e rrisin produktivitetin dhe prodhimtarinë, ndihmojnë në mirëmbajtjen e ekosistemeve, të forcohet aftësia dhe kapaciteti për t'u përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike, kushteve ekstreme të motit, thatësirave, përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore, si dhe për të siguruar përmirësim gradual të cilësisë së tokës dhe dheut.
2.5.
Deri në vitin 2020, të ruhet diversiteti gjenetik i farërave, i bimëve të kultivuara, si dhe i kafshëve shtëpiake të kultivuara dhe specieve të egra të afërta me to, nëpërmjet menaxhimit të duhur të bankave për mbajtjen e farave dhe bimëve të ndryshme në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe me promovimin e aksesit në shpërndarje të drejtë dhe të barabartë të përfitimeve që rrjedhin nga përdorimi i resurseve gjenetike dhe njohurive tradicionale shoqëruese për të cilat është arritur dakordim ndërkombëtarisht
2.A.
Të rriten investimet, ndër të tjera, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar të zgjeruar, në infrastrukturën rurale dhe në hulumtimet e shërbimet bujqësore për t’iu ndihmuar fermerëve, zhvillimin teknologjik dhe përmirësimin e bankave për materialin gjenetik bimor dhe blegtoral, për të rritur kapacitetet për prodhimtari bujqësore në vendet në zhvillim, e veçanërisht në vendet më së paku të zhvilluara.
2.B.
Të korrigjohen dhe parandalohen të gjitha kufizimet dhe shtrembërimet tregtar në tregun botëror bujqësor, ndër të tjera, nëpërmjet eliminimit paralel të të gjitha formave të subvencioneve bujqësore eksportuese dhe masave të tjera të eksportit me të njëjtin efekt, në përputhje me mandatin e Agjendës së Zhvillimit nga Doha.
2.C.
Të miratohen masa për të siguruar funksionimin e duhur të tregut ushqimor dhe të derivateve të tij, si dhe të lehtësohet aksesi në kohë në informacionin e tregut, përfshirë rezervat ushqimore, që të parandalohet paqëndrueshmëria ekstreme e çmimeve të ushqimit.

